Koçijançiç kundër bojkotit të Parlamentit

20/02/2017 00:00

Duke folur në emër të Komisionit Europian, zëdhënësja e tij, Maja Koçijançiç është shprehur kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Demokratike.

Ajo u shpreh në një intervistë dhënë për TVSH se Komisoni mbështet vetëm debatin politik në Parlament dhe jo atë jashtë tij, që vetëm përkeqëson klimën politike.

“Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e  Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane”, deklaroi ajo.

Roli i Parlamentit është thelbësor në vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe vetë kjo e fundit për rrugën integruese të Shqipërisë. Për këtë, Koçijançiç kujtoi rekomandimin e Komisionit në nëntorin e shkuar.

“Është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e Parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e  drejtësisë. Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend”, deklaroi ajo.

Zëdhënësja foli edhe për vërejtjet e LSI-së në lidhje me Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Siç e dini ngritja e bordit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është diçka e diskutuar thellësisht në detaje me qeverinë shqiptare. Është dhënë shumë informacion mbi këtë dhe është ngritur në përputhje me legjislacionin përkatës dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe detyra e bordit është për të monitoruar procesin. Pra, është tejet e qartë dhe transparente”, deklaroi ajo.

Koçijançiç nuk komentoi kërkesën e Partisë Demokratike për qeveri teknike.

Top Channel