Vdes ambasadori rus në Kombet e Bashkuara

20/02/2017 00:00

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin ka vdekur në mënyrë të papritur këtë të hënë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat citojnë agjencitë ruse. Këto të fundit iu referohen burime nga Ministria e Jashtme në Moskë.

Churkin, 64 vjeç, ka shërbyer si përfaqësuesi i përhershëm i Moskës në selinë e OKB-së në Nju Jork që prej vitit 2006.

Kjo është vdekja e tretë e një diplomati rus brenda pak muajsh, pas vrasjes më 19 dhjetor të ambasadorit Andrey Karlov në Ankara dhe asaj të një konsulli rus në Greqi vetëm pak ditë më pas.

Samantha Power, ish-ambasadore e SHBA në OKB, reagoi në rrjetet sociale në lidhje me vdekjen e diplomatit.

“E shkatërruar nga vdekja e ambasadorit rus në OKB. Mjeshtër i diplomacisë dhe një njeri që bëri gjithçka për të ulur diferencat mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, u shpreh Power.

Top Channel