Prokurori special i Malit të Zi ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë dhe shërbimet sekrete të saj për komplotimin e një puçi që përfshinte edhe planet për të vrarë ish-kryeministrin e vendit ballkanik.

Milivoje Katniç tha se hetimi ndaj komplotit të dyshuar gjatë tetorit të kaluar, me synimin për të rrëzuar qeverinë malazeze dhe parandalimin e bashkimit të Malit të Zi me NATO-n, ka treguar se “trupat shtetërore ruse janë përfshirë në një nivel të caktuar”.

Duke folur gjatë një konference të së hënës, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov hodhi poshtë akuzën, duke e quajtur atë absurde dhe të papërgjegjshme.

“Nuk ka sesi të flitet as për ndonjë lloj ndikimi të zyrtarëve rusë në çështjet e brendshme të Malit të Zi”, tha Peskov. “Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera, e veçanërisht në Mal të Zi, një vend me të cilin ne kemi marrëdhënie shumë të mira”.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov mohoi gjithashtu atë që e përshkroi si “akuzë të pabazë”, duke shtuar se ajo nuk “mbështetej as nga një fakt i vetëm”.

Kremlini, që kundërshton prej kohësh zgjerimin e NATO-s në Europë, ka mohuar në vijimësi përfshirjen në komplotin në fjalë, megjithatë, Moska ka mbështetur në mënyrë aktive grupet nacionaliste që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Rreth 20 persona, shumica e të cilëve shtetas serbë, u arrestuan në Mal të Zi pas akuzave për përfshirje në komplotin e ditës së zgjedhjeve parlamentare.

Prokurori malazez tha për median “Prva TV”, mbrëmjen e së dielës, se Eduard Shishmakov, një spiun i dyshuar ushtarak rus, ishte koordinatori kryesor i komplotit që synonte të merrte kontrollin e Parlamentit në kryeqytetin Podgoricë, si dhe vrasjen e ish-kryeministrit Milo Djukanoviç, i cili e çoi vendin e vogël me dalje në Adriatik shumë pranë anëtarësimit në NATO.

Shishmakov dhe një tjetër zyrtar rus raportohen se kanë koordinuar veprimet nga Serbia fqinje, duke përdorur telefona të padiktueshëm dhe pajisje të tjera të sofistikuara përgjimi. Ata u lejuan të rikthehen në Rusi, pavarësisht se zyrtarët serbë kishin dijeni për aktivitetet e tyre.

Shishmakov ka qenë zv.atashe i Rusisë në Poloni, përpara se të largohej nga ky vend për spiunazh në vitin 2014, tha prokurori special Katniç. Në vitin 2014 ka pasur disa dëbime mes Rusisë dhe Polonisë, por njerëzit e përfshirë në këto akuza nuk u bënë kurrë të njohur me emra. Katnic tha se Shishmakov kishte udhëtuar drejt Serbisë me një pasaportë me emrin Eduard Shirokov.

Top Channel