Rama në Lezhë: Rritëm investimet në energjitikë

20/02/2017 00:00

Nënstacioni elektrik i Lezhës ka rinisur punën pas rikonstruksionit nga OSHEE në vlerën 1.9 milion dollarë.

Ndërtuar që në vitet ‘60 dhe rikonstruktuar për herë të fundit në vitin 1973, nënstacioni elektrik i është nënshtruar një rikonstruksioni total ku janë vendosur edhe pajisjet e reja për 21 fidrat që lidhen me të, për të garantuar sigurinë nga reshjet dhe furnizim të pandërprerë me energji.

“Ky është viti më i madh i investimeve në energjitikë, aq më tepër i bërë edhe në kushtet kur kemi pasur një krizë nga pikëpamja e motit”, deklaroi ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

“Falë reformës, falë faktit që nga gjysma që paguante edhe për gjysmën që vidhte kaluam në një fazë të re ku të gjithë janë të vetëdijshëm dhe kontribuojnë, jo vetëm që nuk harxhojmë 150 milionë dollarë çdo vit për të mbushur gropën e vjedhjeve që të ndezim dritat, por kemi filluar të investojmë. Kjo është rruga për të bërë shtet, me reforma të dhimbshme, të lodhshme dhe me kosto, por që japin rezultatin e duhur”, tha kryeministri Rama.

OSHEE po investon 1 mln dollarë për ndërtimin e 2 fidrave të rinj për Shëngjinin, që do të lidhen me nënstacionin e Lezhës përpara sezonit turistik. Ndërsa 1 milion euro do të investohen nga muaji prill për linjat elektrike në Zejmen, ku aktualisht, si pasojë e amortizimit të rrjetit, 70% e energjisë humb në rrjet.

Top Channel