Pretenca, 3 vite burg Elivar Golemit

20/02/2017 00:00

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 3 vite burgim të ish-inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.

Kjo e fundit akuzohet nga Prokuroria për akuzën e shpërdorimit të detyrës në vjedhjen e bujshme të 713 milionë lekëve nga arkat e bankës, vjedhje e cila u zbulua në korrik të vitit 2014.

Sipas Prokurorisë, Golemi, në rolin e kryeinspektores së bankës, nuk ka monitoruar si duhet lëvizjet në arkën e bankës, nga ku janë marrë nga punonjësi i bankës Ardian Bitraj 713 milionë lekë.

Golemi është zyrtarja e fundit e bankës që po gjykohet për këtë çështje. Procesi ndaj saj zgjati deri më tani, pasi ajo zhvilloi gjykim me procedurë normale. Për këtë vjedhje u ndalua dhe u gjykua edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, i cili u shpall i pafajshëm.

Top Channel