Trafiku i emigrantëve, zbulohet rrjeti italian; 170 vetë në hetim

20/02/2017 00:00

Të paktën 171 persona janë nën hetim dhe 11 të tjerë subjekte të masave parandaluese në kuadër të një hetimi mbi favorizimin e emigracionit të paligjshëm në Itali.

Bëhet fjalë për një hetim të nisur dhe zhvilluar nga Prokuroria e qytetit të Monzës ndaj një organizate që favorizonte emigracionin dhe qëndrimin ilegal në vendin fqinj përmes falsifikimit të dokumenteve.

Në shënjestër të hetuesve kanë përfunduar një biznesmen nga Milano, titullarë kompanish fiktive në të cilat punësoheshin shtetasit e huaj dhe persona të tjerë që ofronin klientë.

Hetimet kanë çuar në zbulimin dhe dokumentimin e ekzistencës së më shumë se 30 kompanive fiktive, që në të njëjtën mënyrë kishin punësuar mbi 1.500 persona.

Xhiroja e fitimit nga ky aktivitet ilegal llogaritet nga 2 deri në 3 milionë euro që nga viti 2012, me tarifa që shkonin nga 200 deri në 3 mijë euro, sipas vështirësisë së rastit.

Top Channel