Përkujtohet dëshmori Feti Vogli, humbi jetën në Afganistan

20/02/2017 00:00

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit të pesë vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut kapiten Feti Vogli, i cili humbi jetën gjatë misionit të forcave komando shqiptare në Afganistan përkrah vendeve aleate.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe familjarë të Voglit si dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura. Në fjalën e rastit ministrja Kodheli, vlerësoi kontributin e kapiten Feti Voglit deri në vetëmohim, në emër të paqes dhe sigurisë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

“Keni ndryshuar imazhin e Shqipërisë me punën, sakrificën, profesionalizmin dhe vetëmohimin tuaj, si askush tjetër më parë, si askush tjetër sot gjithë kombi ju falenderon për atë çka bëni përditë. Shumë prej jush keni dhënë diçka nga vetja juaj, Fetiu dha atë që ishte më e shtrenjtë, jetën. Qoftë i paharruar kujtimi i dëshmorit të atdheut, të madhit Feti Vogli”, tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Më pas janë vendosur kurora me lule në bustin kushtuar dëshmorit Feti Vogli në ambientet e repartit të Forcave Speciale Komando, si dhe u vizitua muzeu i këtij reparti, ku janë ekspozuar veshjet dhe pajimet e kapiten Voglit ditën që u vra në krye të detyrës.

Top Channel