Karnavalet e Jacmel

20/02/2017 00:00

Të veshur si dragonj, të lyer nga koka në këmbë, të vegjël e të mëdhenj festuan nisjen e karnavaleve në Jacmel të Haitit, qyteza e vogël në bregun jugor të vendit që mbajti peshën më të madhe të goditjes së uraganit “Matthew” në muajin tetor.

Atraksionin turistik nuk e kurseu as tërmeti i dhunshëm i vitit 2010. Që prej atëherë, zyrtarët lokalë janë përpjekur me çdo kusht të ringjallin interesin e të huajve. Karnavalet, megjithatë, tërheqin edhe shumë haitjanë.

“Karnavalet e Jacmel janë më të mirat në vend. Festime të tilla zhvillohen në të gjithë Haitin, por këtu ama, është krejt gjë tjetër. Këtu vjen presidenti, vijnë senatorët, deputetët. Kremtime të tilla, vetëm ne mund t’i bëjmë”, tha një pjesëmarrës.

Uragani “Matthew” vrau gati 900 vetë përpara 5 muajsh, e me mijëra të tjerë i la të pastrehë. Të pranishmit, megjithatë, kanë zgjedhur t’i lënë pas kujtimet e hidhura e të fokusohen te festimet.

“Kishin kohë që e prisnim me padurim organizimin e karnavaleve. Këtu ka shumë vendas, turistë, ngado ka vetëm entuziazëm. Kjo festë është një sukses i garantuar”, tha një tjetër pjesëmarrës.

Përveç rimëkëmbjes nga katastrofat natyrore, Haiti shpreson gjithashtu të injektojë normalitet edhe në jetën politike. Zbutja e tensioneve të qeverisjes është reflektuar sivjet edhe te kremtimet. Karnavalet në Haiti datojnë që në vitin 1804.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel