Intervistë për “EFE”, Thaçi: Spanja të njohë Kosovën

20/02/2017 00:00

Në një intervistë për agjencinë spanjolle të lajmeve “EFE”, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nga Spanja njohjen sa më parë të shtetit të Kosovës, duke mos u kompleksuar nga krahasimi i pavlefshëm – sipas tij, – që bëjnë mes Kosovës dhe provincës së Katalunjës, që pretendon gjithashtu mëvetësim nga Spanja.

“Spanja nuk është Serbia e Slobodan Milosheviçit, sikurse Katalunja nuk është Kosova”, tha thënë Thaçi, i ndodhur në Mynih për punimet e Konferencës së Sigurisë.

“Nuk ekziston një paralelizëm mes Kosovës dhe Katalunjës. Të mos harrojmë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Ndaj, njohja nga Spanja duhet të ndodhë sa më parë të jetë e mundur, sepse ky do të ishte një vendim i drejtë”, ka thënë më tej presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti i Kosovës është shprehur se “dua të besoj që Spanja do të na e bëjë më të lehtë jetën dhe jo më të vështirë, për shkak se jemi vende mike dhe ndajmë të njëjtat vlera. E dimë që Spanja nuk ka asgjë kundër Kosovës”.

Top Channel