Shenjat e gishtave për de’krimin; Prokuroria, kërkesë 8 të zgjedhurve

20/02/2017 00:00

Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur zyrtarisht pranë Kuvendit kërkesën për 8 të zgjedhur, 5 deputetë dhe 3 kryebashkiakë, për t’u paraqitur në prokurori për të dhënë zyrtarisht shenjat e gishtërinjve, në kuadër të hetimit të hapur sipas ligjit të Dekriminalizimit.

Burime nga organi qendror i akuzës bëjnë të ditur se funksionarët publikë kanë 1 javë kohë në dispozicion për t’iu përgjigjur kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme.

Të dhënat do të ballafaqohen me të dhënat e regjistruara në disa vende të tjera për të parë nëse ndaj tyre ka çështje penale, apo dënime që mund t’i bëjnë të humbin mandatet, apo që i kanë fshehur në vetëdeklarimet e dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Thirrja për 5 deputetë ka shkuar në Kuvend, ndërsa për tre kryebashkiakët, pranë bashkive të tyre por edhe pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Prokuroria disa ditë më parë njoftoi se kishte nisur një hetim dhe paralel me këtë nisi procedimi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilin e akuzon për shkelje të ligjit, duke pranuar deklarata përtej afateve ligjore dhe për mosbashkëpunim.

Oficerë të policisë gjyqësore nga Prokuroria e Tiranës sekuestruan pranë KQZ-së të gjithë dokumentacionin. Sipas prokurorisë, KQZ ka shkelur ligjin duke lejuar të zgjedhurit të dorëzojnë një formular të dytë një muaj përtej afatit ligjor.

Zyrtarisht, institucioni që ka rol kyç në dekriminalizim sqaroi se qëllimi i ligjit të dekriminalizimit është të sigurojnë besimin e publikut dhe jo inkriminimin e pakuptimtë.

Në intervistën dhënë për Top Channel ditën e nisjes së hetimit penal ndaj KQZ, kreu i saj Denar Biba e cilësoi situatën të pakuptimtë, ndërsa u shpreh i keqardhur që këto sulme vijnë vetëm 4 muaj përpara zgjedhjeve.

Top Channel