SHBA, kosovari përlot ish-presidentin Clinton

20/02/2017 00:00

Një kamerier shqiptar në një restorant të Nju Jorkut e ka bërë Bill Clintonin të preket aq shumë, sa të përlotet gjatë darkës me të shoqen, Hillary.

32-vjeçari është ulur në gjunjë përpara ish-presidentit amerikan dhe i është drejtuar me fjalët: Zotëri, dua t’iu falënderoj nga zemra. Po të mos ishte për ju, unë sot nuk do të isha gjallë.

I riu nga Kosova ka nisur të tregojë historitë e tmerrshme të luftës në vendin e tij të lindjes, nga ku ishte larguar në moshën 16-vjeçare.

Çifti Clinton dëgjoi i prekur sesi ishin torturuar pa mëshirë anëtarët e familjes së tij, e sesi qenë detyruar të jetonin nëpër pyje për t’i shpëtuar ushtarëve serbë dhe vdekjes së sigurtë.

Vendimi juaj, – i tha kamerieri, – për të autorizuar ndërhyrjen ushtarake në Kosovë ishte ai që detyroi zmbrapsjen e forcave pushtuese të Slobodan Milosheviçit; ai që solli paqen, ndërsa mua vet më garantoi mbijetesën.

“I emocionuar, ish-presidenti Clinton shtrëngoi duart e të riut kosovar dhe qau”, shkruan TMZ.

Nga frika e klimës aktuale kundër emigracionit të krijuar nga shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë, – vazhdon më tej faqja e njohur për historitë e njerëzve të famshëm, – protagonisti i këtij episodi prekës nuk ka dashur t’i publikohet as emri dhe as fotoja e tij.

Shumë nga pjesëtarët e stafit të restorantit “Sea Fire Grill” janë shqiptarë dhe çifti Clinton ndaloi pas darkës për t’u takuar me ta dhe persona të tjerë që punonin aty.

Top Channel