Tregtia e armëve, si në kohën e Luftës së Ftohtë

20/02/2017 00:00

Tregtia globale e armëve ka mbërritur pikën e saj më të lartë që prej Luftës së Ftohtë. Lindja e Mesme thuajse i ka dyfishuar importet e armëve. Shtetet e Bashkuara dhe Europa vazhdojnë të mbeten kryesues të listës së furnizimeve, ndërsa edhe Kina nuk mbetet pas.

Instituti ndërkombëtar i Hulumtimit të Paqes në Stokholm, “SIPRI” e ka shtjelluar qartë në raportin e fundit të tij rritjen e transfertave madhore të armëve këto 5 vitet e fundit, në nivele që nuk ishin parë që prej vitit 1990.

Arabia Saudite, nismëtarja e ndërhyrjes ushtarake në Jemen, e cila ka kushtuar deri tani qindra jetë civilësh, rezulton importuesja e dytë më e madhe e globit, pas Indisë. Mbretëria e Gjirit Persik e ka rritur me 212% volumin e blerjes së armëve. Furnizuesit kryesorë të saj mbeten Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

India, që ka lënë pas rivalin e madh rajonal, Pakistanin, armët i blen më së shumti nga Rusia. Moska dhe Uashingtoni llogarisin së bashku më shumë se gjysmën e të gjithë eksporteve. Mes 5 eksportuesve më të mëdhenj të armëve në botë rreshtohen pas tyre Kina, Franca dhe Gjermania.

“Mungesa e instrumenteve rajonale të kontrollit të armëve ka bërë që shtetet aziatike t’i zgjerojnë të pashqetësuara arsenalet e veta”, komenton anëtari i “SIPRI”-it, Siemon Wezeman.

Që kur Amerika hoqi në muajin maj embargon dhjetëravjeçare të shitjes së armëve ndaj Vietnamit, vendi e ka rritur në mënyrë dramatike nivelin e importit të tyre në 202%. Shtim të ndjeshëm të importit të armëve kanë pasur edhe Katari e Irani. Republika Islamike mori vitin e kaluar nga Rusia sisteme S-300 të mbrojtjes antiajrore, blerja më e madhe e kësaj natyre për të që prej vitit 2007.

Top Channel