Beteja për Mosulin, rrethohen militantët e ISIS

20/02/2017 00:00

Forcat qeveritare irakiane kanë rifilluar operacionin e tyre drejt Mosulit perëndimor, i fundit bastion i të ashtuquajturit Shtet Islamik në Irak.

Zjarr artilerie mund të dëgjohej në distancë, thonë korrespondentët. Me fillimin e operacionit të dielën, ushtria mori kontrollin e disa fshatrave.

Pjesa lindore e qytetit është çliruar nga ISIS muajin e kaluar, pas luftimeve të ashpra. Mijëra trupa janë përfshirë në operacionin e fundit, që mbështetet nga artileria dhe sulmet ajrore.

Progresi i trupave qeveritare është ngadalësuar pak, sidoqoftë, nga shpërthime të mjeteve të improvizuara të vendosura nga ISIS përgjatë trajektores.

Ekipet e çmontimit të bombave janë angazhuar për hapjen e rrugës. Aktualisht, forcat irakiane kanë rrethuar të gjithë pjesën perëndimore të Mosulit.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për gjendjen e civilëve të bllokuar në Mosul, me raporte që flasin për mbi 650 mijë vetë të mbetur atje.

Fletëpalosje që njoftonin banorët për ofensivën e pritshme janë hedhur që më herët nga ajri në perëndim të qytetit. Sipas strategëve të ushtrisë irakiane, pjesa perëndimore e qytetit është më sfiduese sesa ajo lindore, kjo edhe për shkak të rrugëve të ngushta dhe me kalldrëm.

Ata thonë se Mosuli perëndimor, edhe pse më i vogël sesa ai lindor, është më i populluar dhe përfshin lagje që konsiderohen pro ISIS-it.

Top Channel