Mattis, garanci Irakut: Nuk jemi këtu për naftën

20/02/2017 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis mbërriti në Bagdad me një premtim që kundërshtonte deklaratat e lëshuara nga Donald Trump muajin që shkoi.

“Nuk jemi në Irak për t’i marrë naftën këtij vendi. Ne amerikanët, përgjithësisht kemi paguar për gazin dhe naftën, e jam i sigurtë se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”, tha James Mattis.

Me këtë pohim, shefi i Pentagonit u distancua nga komentet e presidentit gjatë një vizite në zyrat e CIA-s muajin e kaluar, kur tha se Amerika duhet ta kishte mbajtur vet naftën e Irakut pas pushtimit të 2003-shit, e mbase e ka ende mundësinë për ta bërë një gjë të tillë.

Mattis, përveç kësaj u përpoq të garantonte dhe irakianët që kanë punuar e luftuar në krah të forcave amerikane, se nuk do të preken nga vendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë për t’i ndaluar hyrjen në SHBA shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane, përfshirë këtu Irakun.

“Nuk e kam parë urdhrin e ri ekzekutiv, por më kanë informuar se do të ndërmerren hapa për të mos ua penguar hyrjen personave që kanë bashkëpunuar me ne”, tha Mattis.

“Që Mattis, i pari zyrtar i lartë i adminsitratës së Trumpit që zbarkon në Bagdad, mund të bënte të tilla deklarata kundërthënëse me ato të presidentit, kjo do të ishte e paimagjinueshme në administrata të tjera”, thotë “New York Times”.

Por me Trumpin kanë ndodhur plot çudira deri më tani dhe emisarët e tij jashtë kufijve janë duke shpenzuar shumë kohë në përpjekjet për t’i siguruar aleatët amerikanë se, jo çdo fjalë e dalë nga goja e Trumpit duhet marrë seriozisht.

Top Channel