Sadiku sërish gol për Luganon

19/02/2017 00:00

Për të dytën javë radhazi, Armando Sadiku gjen golin për ekipin e tij Lugano.

Pas golit të shënuar javën e kaluar, këtë herë sulmuesi elbasanas ka dërguar sërish topin në rrjetë, në barazimin 1-1 që Lugano arriti në Vaduz.

Kjo ishte një tjetër pikë me vlerë për Luganon e Sadikut dhe Tramexanit, në betejën për qëndrimin në Super Ligën zvicerane.

Edhe Taulant Xhaka është aktivizuar titullar në fitoren 4-3, që Bazeli i tij arriti me përmbysje ndaj Laussane. Mesfushori zhvilloi një 90-minutësh të mirë, duke asistuar edhe njërin nga golat e shënuar.

Lajm i mirë vjen edhe nga Greqia. Ergys Kaçe rikthehet të luajë si titullar në kampionat, për Paok-un e Selanikut, në ndeshjen e fituar me rezultatin 4-0 ndaj Verias.

Mesfushori korçar kishte pasur probleme kohët e fundit, pas huazimit të dështuar në Çeki, të Sparta e Pragës dhe u rikthye në janar te selanikasit, por  vetëm sot rimori vendin e tij si titullar.

Top Channel