Karnavalet në Venecia, qyteti tej mbushet me turistë

19/02/2017 00:00

Turma të mëdha u mblodhën në sheshin e Shën Markut, në Venecia të dielën për të ndjekur një nga eventet më tërheqëse të karnavaleve të famshme të këtij qyteti, “Fluturimin e Engjëllit”.

Në event, një fituese e një konkursi bukurie, e veshur me kostum karnavalesh, zbret nga kulla e bazilikës së Shën Markut.

Gjatë 18 ditëve të karnavaleve, qyteti mbi lagunë tej mbushet me turistë nga e gjithë Italia dhe bota. Shumë prej tyre mbajnë maska dhe veshin kostume për t’iu bashkuar kështu eventeve të shumta që zhvillohen në qytet.

Ceremonia e fluturimit të Engjëllit daton pesë shekuj më parë. Asokohe, një akrobat i ri turk, eci mbi një litar të lidhur nga një anije e ankoruar në portin pranë sheshit të Shën Markut e deri mbi kullën e katedrales.

Karnavalet e Venecias, janë mes karnavaleve më të vjetra në botë. Çmenduria e tyre nisi shekuj më parë, në një periudhë eksesi, kur të gjithë venecianët, duke fshehur identitetet e tyre pas maskave, mund të bënin çfarë të donin.

Në këtë mënyrë, edhe të varfrit, për një periudhë të shkurtër, mund të thyenin rendin e ashpër dhe oligarkik social të Venecias.

Top Channel