Apeli i Merkel: Islami nuk është burim terrori

19/02/2017 00:00

Angela Merkel i ka kërkuar Evropës të pranojë një numër të madh refugjatësh dhe tha se Islami, nuk është burim terrori.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelarja gjermane tha se Evropa kishte një obligim moral për të pranuar të larguarit nga Siria dhe Iraku.
 
“Unë besoj se nuk është islami shkak i terrorizmit, por një islam i keqpërdorur. Unë e kam thënë disa herë. Pres nga autoritetet fetare të islamit të flasin qartë mbi dallimet mes islamit paqësor dhe terrorizmit në emër të islamit. Ne nuk jemi myslimanë dhe nuk mund ta bëjmë këtë ashtu siç munden autoritetet myslimane”, tha kancelarja gjermane.

Merkel, që ka qenë kritike e vendimit të presidentit amerikan për të ndaluar hyrjen në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Ajo nënvizoi se lufta ndaj ekstremizmit mund të jetë e suksesshme vetëm në bashkëpunim me vendet myslimane dhe premtoi se do të bashkëpunonte ngushtë edhe me Rusinë e Vladimir Putinit për të luftuar Shtetin Islamik në Lindjen e Mesme.

Gjermania në fakt ka pranuar më shumë se një milion refugjatë të zhvendosur nga lufta në Siri, por politika e ndjekur nga kancelarja Merkel është vënë nën kritika pas masakrës në një treg krishtlindjesh në Berlin, vitin e shkuar, ku humbën jetën 12 persona.

Top Channel