Nis zgjerimi dhe rikonstruksioni i maternitetit të Korçës

19/02/2017 00:00

Qeveria do të shpenzojë 1 miliardë e 360 milionë lekë për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit të Korçës brenda Korpusit Spitalor, ku veç infrastrukturës do të rritet cilësia dhe standardi i shërbimit.

“Ka qenë një kërkesë me të cilën jam ndeshur që në ditët e para të punës. Është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të ofruar shërbim dhe akses cilësor sa më pranë vendbanimit. Do të vazhdojmë me investime të tjera për spitalin e Korçës. Është një vëmendje e veçantë që ne kemi për shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Është materniteti i tretë ku po ndërhyjmë këtë vit”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Në maternitetin e Korçës lindin çdo vit 1200 foshnje. Për këtë arsye, zëvendëskryeministri Niko Peleshi vlerëson se projekti është një nga investimet më të rëndësishme për këtë qark: “Unë e përgëzoj dhe e falënderoj ministrin që e ka futur në paketën e projekteve prioritare për vitin në vazhdim. Është një procedurë e filluar, rindërtimi apo ndërtimi i një materniteti të ri këtu tek kjo godinë gjysmë e rrënuar”.

Sipas Shëndetësisë, procedurat e prokurimit kanë filluar, ndërsa punimet do të nisin brenda muajit prill, për të përfunduar pas 14 muajsh. Beqaj dhe Peleshi vizituan edhe shërbimin e ri të Hemodializës në spitalin e Korçës, i cili do të jetë gati në muajin prill.

Top Channel