KQZ, reagim për Prengën: Nuk ka të dhëna

19/02/2017 00:00

Një ditë para marrjes në shqyrtim të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, që kërkon heqjen e mandatit të deputetit Armando Prenga, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi në lidhje me akuzat dhe hetimin e nisur ndaj institucionit nga Prokuroria e Përgjithshme.

KQZ ishte akuzuar për shkelje të ligjit, duke pranuar deklarime jashtë afateve dhe për mosbashkëpunim, por zyrtarisht institucioni që ka rol kyç në dekriminalizim, sqaron se qëllimi i ligjit të dekriminalizimit është të sigurojnë besimin e publikut dhe jo inkriminimin e pakuptimtë. KQZ tregon në rend kohor punën dhe emrat e kontrolluara prej saj, në listën e funksionarëve që nuk prekeshin nga dekriminalizimi ishte edhe deputeti Shkëlqim Selami, për të cilin prokuria gjeti prova shtesë që i rrëzonin atij mandatin.

Për KQZ-në, edhe Armando Prenga nuk e humb mandatin, por prokuroria pak ditë më parë kërkoi heqjen e mandatit të tij, me arsyetimin se ai rezulton me precedentë penalë në shtetin italian dhe atë shqiptar.

Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ-së, tha: “Deputetët Armando Prenga, Asllan Dogjani, Andrea Marto, Florion Mima dhe kryebashkiakët Artur Bardhi, Adem Lala, Ndrec Dedaj dhe Zef Hila nuk kanë shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit, por, sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore, rezulton se kanë dënime me vendim të formës së prerë, fillim të procedimit penal apo shqyrtime nga gjykatat shqiptare për vepra penale të cilat nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të profesionit”.

Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme të pak ditëve më parë. Mes dy institucioneve tensioni po rritet dhe pritet që mbledhja e radhës e KQZ-së të jetë shumë më e ndryshme nga mbledhja kur u hoqën menjëherë mandatet e deputetëve Dashamir Tahiri, Shkëlqim Selami dhe kryebashkiakut Elvis Rroshi.

Top Channel