“The Sunday Telegraph” e Londrës pretendon se ka zbuluar konspiracionin rus për vrasjen e një udhëheqësi europian, duke iu referuar burimeve zyrtare britanike. Sipas këtyre burimeve, Rusia ka gisht në komplotin e dështuar për të përmbysur qeverinë e Malit të Zi, duke tentuar vrasjen e ish-kryeministrit proeuropian, Milo Gjukanoviç, vitin e kaluar, disa orë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Ky komplot, sipas burimeve britanike, ishte drejtuar nga shërbimet sekrete ruse me mbështetjen dhe bekimin e Moskës, për të sabotuar planet e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në NATO, si vendi i 29 i aleancës gjatë kësaj vere.

“Komploti malazez i planifikuar për në 16 tetor të vitit të kaluar, ishte shembulli më i fundit flagrant i një fushate gjithnjë e më agresive ruse në politikën perëndimore”, i kanë thënë gazetës “Telegraph”, burime nga qeveria britanike.

Shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson, dhe Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, thuhet se e kanë diskutuar këtë çështje javën e kaluar në takimin e tyre kokë më kokë.

Shërbimet sekrete britanike dhe amerikane, të thirrura për ndihmë nga autoritetet malazeze, për të zbuluar konspiracionin, mendohet se kanë grumbulluar prova të përfshirjes ruse në nivele të larta.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Sir Michael Fallon ka paralajmëruar për “ndryshim kursi” në përfshirjen e Kremlinit në punët e Perëndimit gjatë vitit 2016, ndërkohë Alex Younger, shefi i shërbimit sekret britanik “MI6”, ka paralajmëruar së fundmi për përpjekje për të përmbysur demokracinë nga shtete si Rusia, çfarë përbën një kërcënim serioz për sovranitetin e Britanisë dhe aleatëve të saj.

Rusia e ka mohur konspiracionin dhe ka kërkuar nga Britania që të paraqesë prova për një pretendim të tillë. Në Perëndim ka një shqetësim gjithnjë e në rritje për përpjekjet e perceptuara të Rusisë, për të ndikuar në proceset zgjedhore demokratike dhe qeverisjet e vendeve perëndimore.

Top Channel