Kaliforni, 5 të vdekur nga “bombogjeneza”. Stuhia ngjitet në veri

19/02/2017 00:00

Stuhia e tmerrshme e mbiquajtur edhe si “bombogjeneza” apo “bomba e motit” është zbutur disi në pjesën jugore të Kalifornisë, teksa ka vënë në panik pjesën veriore të shtetit amerikan për shkak të drejtimit që ka marrë.

Reshje të dendura shiu, përmbytje dhe rrëshqitje dherash e balte kanë shkaktuar kërdinë gjatë së premtes dhe orëve të para të së shtunës, duke lënë të vdekur të paktën 5 persona. Meteorologët thonë se kjo është stuhia më e rëndë që ka goditur Kaliforninë në vitet e fundit.

Ndërkohë, parashikuesit e motit paralajmëruan banorët e pjesës veriore, përfshi San Franciscon, për reshje të dendura gjatë kësaj të diele.

Meteorologët e përshkruan stuhinë si “bombogjenezë”, për shkak të krijimit të një zone me presion të ulët atmosferik dhe me erëra intensive thuajse tropikale, ose “bomba e motit”.

Njëri prej viktimave është shënuar pas rënies së një peme, që  shkaktoi këputjen e një kablloje të energjisë elektrike dhe rënien e saj mbi automjetin e tij, në ngjarjen e shënuar në Sherman Oaks të Los Angelesit.

Një person i dytë ndërroi jetë në automjetin e tij, kur u përmbyt nga një masë uji e papritur në zonën Victorville. Ndërsa dy të tjerët humbën jetën si pasojë e aksidenteve me makina në San Diego. I fundit nga viktimat e njohura deri më tani u gjet i vdekur teksa ishte rrëmbyer nga një përrua në kantonin Ventura.

Në fshatrat e Duartes, pasditen e së shtunës u hoq nga fuqia urdhri i evakuimit. Por e gjithë vëmendja është kthyer nga veriu, i cili e kaloi një frikë të përjetuar nga përmbytjet, për shkak të rrezikut që kanosej nga diga e Orovilles, që detyroi mbi 180 mijë banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre javën e kaluar.

Top Channel