Irak, nis ofensiva për çlirimin e plotë të Mosulit nga ISIS

19/02/2017 00:00

Forcat e qeverisë irakiane kanë nisur ofensivën më të fundit për të çliruar pjesën perëndimore të qytetit të Mosulit, nga militantët e Shtetit Islamik. Qindra automjete ushtarake, të mbështetura nga forca ajrore, kanë kaluar përmes shkretëtirës drejt pozicioneve të xhihadistëve në orët e para të kësaj të diele.

Forcat irakiane kanë rimarrë kontrollin e dy fshatrave në jug të qytetit në orët e para të operacionit, siç njofton një prej komandantëve më të lartë. Ofensiva u njoftua zyrtarisht edhe nga kryeministri irakian, Haider al-Abadi.

Gjeneral-lejtnanti i ushtrisë irakiane, Abdulamir Yarallah tha në një deklaratë se njësitë elitare të Ndërhyrjes së Shpejtë morën kontrollin e fshatrave Athbah dhe Al-Lazzagah, dy fshatra që shtriheshin shumë pranë aeroportit të Mosulit.

Forcat qeveritare kanë shtënë, ndërkohë, prej thuajse një muaji nën kontrollin e tyre pjesën lindore të qytetit, i cili mbetej edhe bastioni i fundit i rëndësishëm i xhihadistëve në territorin e Irakut. Por zyrtarë ushtarakë kishin thënë se pjesa perëndimore, me rrugë të ngushta e dredharake mund të rezultojë një sfidë më e vështirë.

OKB-ja ka ngritur ndërkohë shqetësimin mbi civilët e bllokuar atje, pas raporteve se numri i tyre mund të mbërrijë deri në 650 mijë qytetarë. Fletëpalosje që paralajmëronin qytetarët për një sulm të pashmangshëm të ushtrisë ishin hedhur më herët nga ajri në pjesën perëndimore të qytetit.

Gjeneral-lejtnanti amerikan, Stephen Townsend, komandant i forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha se “Mosuli do të rezultonte një betejë e vështirë për cilëndo ushtri të botës”.

Top Channel