Trump, rekord historik, presidenti më pak i pëlqyer në SHBA

18/02/2017 00:00

Donald Trump shënon një tjetër rekord historik; atë të presidentit më pak të pëlqyer në SHBA në muajin e parë të udhëheqjes së tij.

Një sondazh i ri i “Gallup” sugjeron se vetëm 40 përqind e amerikanëve e mbështesin biznesmenin e kthyer në politikan. Ndërsa shumica e liderëve të rinj shijojnë një hov të popullaritetit në fillim të mandatiti, niveli i miratimit për Trump-in është 21 përqind më pak se sa mesatarja. Rekordin paraprak e mbante Bill Clinton-i, që e mbylli muajin e parë të presidencës me një nivel mbështjesh prej 51 përqind. Ronald Reagan ishte i vetmi president përveç tij, që në këtë fazë të mandatit pati më pak se 60 përqind të miratimit popullor.

Edhe në 2 javët e para të presidencës, popullariteti i Trump-it shënoi një rekord të ulët, prej 45 përqind. E megjithatë, miliarderi nuk është i pari udhëheqës që përjeton një rënie të pëlqyeshmërisë në muajt e parë në Shtëpinë e Bardhë.

Niveli i mbështetjeve për Bill Clinton-in dhe Barack Obama-n u ul ndjeshëm gjatë muajve të parë në detyre, e rënia prej 7 pikë përqindje e Clinton-it përfaqësoi më të madhën të regjistruar ndonjëherë nga “Gallup”.

John Kennedy dhe Jimmy Carter ishin presidentet me nivelin më të lartë të mbështetjeve në muajin e parë të udhëheqjes, prej mbi 70 përqind. Të dhënat negative për Trump-in vijnë pas vendimeve polemizuese të administratës së tij, mes të cilave urdhri për ndalimin e udhëtimeve nga 7 vende myslimane.

Top Channel