Minxhozi: Protesta e opozitës, e kopjuar. Rama duhet të ishte në Tiranë

18/02/2017 00:00

Analisti Skënder Minxhozi ishte i ftuar në studion e lajmeve në Top Channel për të komentuar protestën e opozitës. Ai tha se protesta e opozitës është e kopjuar, por më e keqja, tha ai, se është kopjuar një precedent i pasuksesshëm, ai i opozitës së Ramës.

Minxhozi theksoi gjithashtu se në këtë ditë proteste, kryeministri i vendit duhet të kishte qenë në Tiranë.

TCH: Opozita kërkon largimin e Ramës si kryeministër dhe krijimin e një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. A krijon kjo precedentin që çdo opozitë para zgjedhjeve të kërkojë qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme? Kujtojmë që në vitin 2009 opozita e atëhershme kërkoi diçka të tillë, por në fund u fut në zgjedhje me Berishën kryeministër.

Skënder Minxhozi: Parimisht është e ligjshme kërkesa e çdo opozite për të larguar qeverinë. Në çdo moment opozita duhet ta ketë si kërkesë bazë largimin e qeverisë sepse ndryshe do të humbte sensin e të qenit opozitë. Nëse në pushtet është dikush që e bën më mirë se ty këtë punë, ti nuk ke pse ekziston. Opozita e sotme ka disa arsye që e sjellin me një veprim të skajshëm, një veprim të përsëritur, për më keq është një veprim i kopjuar. Por është kopjuar një precedent i pasuksesshëm, që është greva e opozitës në bulevard. Kjo është një skenë që e kemi parë kohë më parë dhe që ne e dimë përfundimin e saj. Rama në atë kohë u nis me idenë për të rrëzuar qeverinë, por në fund u detyrua të pranonte qeverinë. Arsyet që e çojnë opozitën në këtë veprim, që është i skajshëm, është dhënia e një pulsi të ri të bazës, të strukturave të saj, pas një 4-vjeçari që nuk ka qenë ndër më të mirët për të. Është një moment që opozita kërkon një hyrje në fushatën elektorale, nuk po them triumfale, por një hyrje me një ritëm me një temp dhe një motiv. Për sa i përket motivit, këtu mund të diskutojmë shumë. Sot është ngritur një çadër e madhe në mes të bulevardit, por kam frikë që kauza është pak më e vogël se çadra, në sensin që zgjedhjet në vetvete janë një kauzë e madhe, nuk i kontestoj fare, por problemi është se sa të arritshme janë disa standarde zgjedhore, të cilat kërkohen në fare pak kohë. Dimë që opozita e ka bërë herët kërkesën për një votim elektronik, dimë që për Shqipërinë votimi elektronik është një procedurë luksi mbi të cilën ka shumë dyshime. Por sot, me sa dëgjuam edhe kjo kërkesë e hershme është tejkaluar sepse po kërkohet thjesht dhe vetëm rënia e qeverisë.

TCH: Minxhozi, si ju duk sot qënrimi i qeverisë në raport me protestën e opozitës?

Skënder Minxhozi: Qeveria sot ka demonstruar përmbajtje, natyrisht për meritë të opozitës së pari, por edhe forcave të rendit që janë për t’u përgëzuar. Kemi pasur një protestë fare të qetë, por meqenëse flasim për qeverinë, unë nuk mund të rri pa vënë në dukje se kryeministri i vendit duhet të ishte në Tiranë. Kryeministrat, kur ndodhin fatkeqësi natyrore lënë vizitat zyrtare dhe kthehen në vend, por dhe kur ka kriza bëjnë të njëjtën gjë. Rama sot ka një krizë, megjithëse mundohet ta trajtojë në mënyrë sportive; ka një krizë politike të dukshme në këmbët e zyrës së tij dhe do të ishte me vend që ai ta linte turin e vizitës në Kosovë.

Top Channel