Luiza e rekordeve, atletja: E vështirë të thyhen këto rekorde

18/02/2017 00:00

Pas 3 medaljesh në harkun kohor të një jave, atletja shqiptare Luiza Gega ka mbërritur në Tiranë duke mbyllur fazën e gjatë prej 70 ditësh që ka qëndruar në Kenia për shkak të përgatitjeve të saj për aktivitetet më të mëdha të këtij viti.

Në garën e 3000 metrave në salla të mbyllura në Paris, Gega u rendit e treta dhe theu rekordin 21-vjeçar të Anila Kasatit, ndërkohë ditën e premte në Turqi fitoi medaljen e artë në garën e 1500 për salla të mbyllura duke përmirësuar këtë herë rekordin e saj personal.

“Për mua ishte shumë e rëndësishme gara e 3000m sepse në sallë është shumë e vështirë. Sa i përket rekordit të kësaj gare ishte shumë i thjeshtë për mua. Ndërkohë rekordi im personal që theva në Turqi më emocionoi më shumë sepse rekordet e mija janë më të vështira për t’u përmirësuar”, tha Luiza Gega.

Nga 3 marsi, fillon Europiani i sallave në Beograd, një aktivitet i cili nuk ka qenë në planet e Luiza Gegës, përpara testimeve të fundit.

“Që në Kenia kishim vendosur që të mos merrnim pjesë në Europian. Por duke parë formën time në këtë javë, jo më larg se dje bashkë me trajnerin vendosëm që të marrim pjesë edhe në Europian”, tha atletja shqiptare.

Po çfarë pret trajneri i saj Taulant Stërmasi nga Europiani?

“Luiza është gjatë gjithë kohës në 5 më të mirat e kontinentit. Po flas për këto dy disiplina 1500 dhe 3000 m sepse po të flasim për 3000 m me pengesa, Liza është më e mirë në Europë aktualisht”, shprehet Taulant Stërmasi, trajner atletike.

Duke qenë se në periudhë dimri nuk ka gara të hapura, europiani që zhvillohet në sallë nuk ka disiplinë garash 3000m me pengesa, garë për të cilën po përgatit Taulant Stërmasi bashkë me Luiza Gegën për të befasuar.

“Kam shumë besim që Liza në 3000 m me pengesa do të japë rezultatin më të mirë që ka patur ndonjëherë kontinenti”, tha Stërmasi.

Top Channel