Mediat amerikane raportojnë protestën e opozitës

18/02/2017 00:00

Partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, ajo Demokratike u zotua të vazhdojë protestat me kërkesën e dorëheqjes së ekzekutivit dhe dorëzimin e pushtetit një qeverie teknike, e cila ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme në muajin qershor.

Me këto fjalë agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton protestën e opozitës, në një artikull ku theksohet se tubimin me mijëra vetë, Lulzim Basha e drejtoi me akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës, se po përpiqet të manipulojë procesin e votimit.

“Zgjedhjet e 18 qershorit shpresohet shumë që t’i hapin vendit rrugën drejt dritës jeshile të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, shkruan “AP”.

Votimet në Shqipërinë post-komuniste, thekson artikulli, nuk janë vlerësuar asnjëherë nga vëzhguesit ndërkombëtarë si plotësisht të lira e të ndershme.

Artikulli i “Associated Press” u transmetua edhe në faqen online të gazetës amerikane “Washington Post”.

Top Channel