“Bomba e motit”, Kalifornia goditet nga moti ekstrem

18/02/2017 00:00

E kanë quajtur “bombogjeneza” ose “bomba e motit” dhe është stuhia më e fuqishme e përplasur mbi Kaliforni prej vitesh të tëra. Dy persona kanë vdekur deri tani, ndërsa shira të rrëmbyer e përmbytje të befasishme janë regjistruar në pjesë të ndryshme të shtetit me klimën më të mirë në Amerikë.

Qindra shtëpi janë evakuar në zonat përreth Los Angeles-it nga frika e rrëshqitjeve të dheut. Mbi 250 fluturime patën probleme në aeroportin ndërkombëtar të tij ndërsa rrugët kryesore u mbyllën.

Raportohen po kështu ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa moti ekstrem fajësohet edhe për hapjen e gropave në rrugë si ajo që gëlltiti dy makina, duke plagosur një grua.

Sistemi i stuhive lëvizi nga jugu i shtetit lart drejt San Francisco-s. Një prej viktimave ishte një burre që mbeti i vrarë në vend kur një pemë u rrezua dhe përplasi mbi makinen e tij një kabëll të voltazhit të lartë.

I dyti humbi jetën në qytezën Victorville, i mbytur në automjetin e vet. Los Angeles Times flet per “skena surreale” me makina të bllokuara nëpër autostrada për shkak të vërshimit të papritur të ujrave. Për pesë vjet rresht, Kalifornia u përball me një thatësirë gjunjëzuese, por tani nuk po merr dot frymë nga rrebeshet.

Top Channel