Hahn i përgjigjet ministrave të LSI-së: I habitur nga pikëpyetjet për Bordin

18/02/2017 00:00

Eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn ka një përgjigje për ministrat e LSI-së, atë të Drejtësisë Petrit Vasili dhe të Integrimit Klajda Gjosha, lidhur me Bordin e Menaxhimit të OMN-së, Operacionin e Monitorimit Ndërkombëtar.

Sipas Zërit të Amerikës Johannes Hahn i ka dërguar një letër me shpjegime kryeminsitrit Edi Rama, pas kërkesës së Gjoshës që të ndërhyjë. Ai shprehet i habitur nga pikëpyetjet e ngritura.

“Bordi i Menaxhimit nuk është një organizëm mbi OMN-ën, por pjesë themelore e OMN-ës, për të garantuar ecurinë administrative, koordinimin e aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në OMN, si bashkëbiseduese e autoriteteve kompetente dhe mbikqyrëse e aktivitetit të monitorimit, për të cilin janë emëruar profesionistë të nivelit të lartë, të emëruar nga Bordi i Menaxhimit”, shprehet Hahn në letrën e tij.

Në letrën e tij, ai shton se “meqënëse pyetjet e ngritura nga anëtarë të qeverisë suaj ngrejnë dyshimn mbi legjitimitetin e strukturave të OMN-ës, ndjehem i detyruar të kujtoj se: Angazhimi i OMN-së është parashikuar nga Neni B i Aneksit të Kushtetutës së ndryshuar në korrik 2016; Kushtetuta e Shqipërisë parashikon vëzhguesit ndërkombëtarë që duhet të përfshihen në fazat e ndryshme të procesit dhe OMN-ën e cila do të jetë nën udhëheqjen e Komisionit europian; Kushtetuta e Shqipërisë qartazi përcakton se OMN-ja pritet “të mbështesë procesin e rivlerësimit përmes monitorimit dhe mbikqyrjes të të gjithë procesit të rivlerësimit” dhe se “duhet të drejtohet nga Komisioni europian”. Në fakt, një drejtor i Komisionit europian po drejton Bordin; Kushtetuta e Shqipërisë gjithashtu parashikon se OMN-ja përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimit euro-atlantik. Këta partnerë janë të përfaqësuar në Bord; OMN-ja duhet “të emërojë vëzhguesit”. Pra, është nga Kushtetuta që rrjesh nevoja që OMN-ja të ketë një organizmë që të vendosë për këto emërime”, saktëson Komisioneri Hahn.

Komisioneri për Zgjerimin e mbyll letrën e tij duke theksuar se “OMN-ja luan një rol kyç për besueshmërinë e të gjithë procesit dhe besoj se dhe Qeveria e Shqipërisë në tërësinë e saj, ka të njëjtin qasje ndaj këtij procesi dhe vazhdon të mbështesë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar”.

Top Channel