Pence në Mynih:SHBA në krah të Europës

18/02/2017 00:00

James Mattis e parapriu në takimin e Brukselit, zëvendëspresidenti Mike Pence ndoqi të njëjtën linjë në konferencën e sigurisë në Mynih. Shtetet e Bashkuara nuk do të lëkunden në mbështetjen e tyre për NATO-n, ishte mesazhi i numrit dy të administratës amerikane.

Por ashtu si dhe shefi i Pentagonit, në fjalimin e tij të parë madhor të politikës së jashtme Pence nuk la pa iu përmendur liderëve europiane çështjen e kontributeve.

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Europës sot e për  çdo dite tjetër. Por vendet anëtare të NATO-s nuk po paguajnë sa duhet për mbrojtjen e përbashkët. Vetëm katër shtete e kanë përmbushur angazhimin për të shpenzuar 2% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto”, tha Pence.

Në Mynih, të gjithë i kanë drejtuar sytë nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveria e re e Donald Trumpit. Pas deklaratave të ashpra të tij ndaj NATO-s, shqetësimi i anëtarëve të Aleancës mbi pozicionimin e superfuqisë perëndimore ishte i vetëkuptueshem.

Konferenca e sigurisë është shndërruar veç të tjerash dhe në skenën ku do të ngjiten për herë të parë anëtaret të rinj të ekipit Trump. Delegacioni i tyre nuk është i vogël, shenjë kjo, sipas ekspertëve, e rëndësisë që po i jepet shkëmbimit të qëndrimeve me europianët.

47 ministra të Jashtem marrin pjesë në këtë event, përfshire rusin Sergei Lavrov, Boris Johnson nga Britania e Madhe, ministrin e Jashtem iranian, Zarif, por ashtu edhe ministra të Mbrojtjes nga 30 vende; ndër ta dhe ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Kosova përfaqeëohet në Mynih në nivel të larte, me presidentin, Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Top Channel