Prizren, hiqen flamujt e Turqisë. MPJ dënon aktin vandal

17/02/2017 00:00

Në qytetin e Prizrenit janë hequr flamujt turq të vendosur në rrrugë. Njësoj si më 28 nëntor, kur një grup të rinjsh hoqën flamujt turq dhe videon e postuan në internet, edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës, ata e kanë motivuar heqjen e flamujve me faktin se kjo festë nuk është e Turqisë.

Por heqja dhe më pas grisja e flamurit turk është dënuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila e quan këtë veprim një akt vandal nga persona të papërgjegjshëm, që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës.

Ministria kërkon që autorët të dalin para drejtësisë. Ndërsa ministri Enver Hoxhaj, në një komunikim me ambasadoren turke në Prishtinë, i ka cilësuar marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë si të shkëlqyera, të cilat akte të tilla nuk do t’i pengojnë dhe dëmtojnë.

Top Channel