“Down” dhe normal, Emiliano histori suksesi, por shumica nuk shkon në shkollë

17/02/2017 00:00

Ai vuan nga sindroma “down”, por kjo nuk e pengon të bëjë një jetë normale. Pas kopshtit Emiliano tani është në klasën e katërt në shkollën “100 Vjetori” në Kamëz.

Ai di të lexojë, të numërojë. Ndryshe nga sa është folur për fëmijët me aftësi ndryshe, që nuk priten mirë nëpër klasa Emiliano ka bërë shumë shokë dhe shoqe.

Megjithëse peripecitë dhe përshtatjet e Emilianos në shkollë nuk kanë munguar, duket se dashuria e treguar nga nxënësit e tjerë duket se ka qenë çelësi i ecurisë së tij.

“Pjesa më e vështirë ishte kalimi nga kopshti në shkollë. Në kopsht u mësua me rregulla të tjera e më pas e pati pak të vështirë të mësohej. Bëhej shumë nervoz, donte të dilte nga klasa”, shprehet e motra e Emilianos.

“Gjëja më pozitive në klasën time ka qenë se Emilianon e kanë pranuar si shokun e tyre më të mirë. Ai ka një dashuri të veçantë. Asnjëherë nuk kam parë në katër vite t’i shmanget ndonjë shok apo shoqe”, thotë Mimoza Shira, mësuesja.

Por fatkeqësisht kjo nuk ndodh, gati gjysma e fëmijëve me sindromën “down” nuk shkojnë në shkollë. Shpesh hezitues janë prindërit.

“I dërgojmë fëmijët tanë në shkollë, i ulim në fund dhe mënyra e dhënies së dijes nuk është e duhura. Fëmija ka ndjenja dhe e shikon veten e tij jo produktiv. Nuk ndjehet mirë në atë ambient. Sigurisht që kemi edhe raste kur kemi të bëjmë me rezistencë nga prindër të tjerë të fëmijëve që nuk janë me aftësi të kufizuara”, shprehet Emanuela Zaimi, drejtuese e fondacionit “Down Syndrome Albania”.

Ligji parashikon që në raste të tilla shkolla të ofrojë mësuese mbështetëse. Emiliano nuk e kishte patur këtë fat, por edhe në këtë shkollë të hënën niste punë, një mësuese e tillë e specializuar për këtë kategori fëmijësh. Janë gjithsej 3252 fëmijë me aftësi ndryshe që kanë ndjekur arsimin këtë vit dhe mësuesit mbështetës janë katërfishuar krahasuar me vitin 2015. Por janë pak përballë nevojës.

Kemi të bëjmë në sistem arsimor me 482 fëmijë me aftësi ndryshe, në sistem arsimor të përgjithshëm 3 deri në 18 dhe kemi vetëm 19 mësues mbështetës.

Qeveria thotë se kjo gjendja shpejt do të ndryshojë.

“Për ata fëmijë që ju thatë për të cilët ne kemi mundësuar vetëm për 223 mësuesin ndihmës, për të vijuar një proces të rritjes së mësuesve ndihmës. Por do të vijojmë me të njëjtin përkushtim, por dhe me rezultate të matshme për të bërë ndryshimin”, u shpreh ministrja Nikolla.
 

Top Channel