Gjelbërimi i Tiranës, Veliaj: 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi

17/02/2017 00:00

Në më pak se një vit në Tiranë janë mbjellë 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi në të gjitha parqet dhe rrugët ndërsa Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030.

Në analizën vjetore të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, kryebashkiaku Veliaj tha se vetëm në Parkun e Liqenit janë mbjellë 1 mijë pemë në muaj, duke e shndërruar në destinacionin më të vizituar nga qytetarët.

“Mezi pres që traditën e mbjelljes së pemëve ta kalojmë në një operacion gjigant të pyllëzimit të Tiranës dhe të oksigjenimit të qytetit. Ndaj, unë besoj se mënyra se si kemi filluar të identifikojmë perimetrin rreth e rrotull Unazës së Madhe të Tiranës për mbjelljet, është mënyra e duhur për të ecur përpara. Tashmë kemi një pjesë të parcelave që preken nga parqet dhe një pjesë tjetër që është në zonën e Tiranës urbane ku ne do të fillojmë të gjithë investimin e pyllit orbital”, tha Veliaj.

Së shpejti kryeqytetasit do të mund të vizitojnë edhe parkun e Vaqarrit, atë të Pezës si dhe liqenin e Farkës, për të cilat punimet ende vijojnë. Veliaj u ndal edhe tek ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijëve, duke i cilësuar debatet politike, për të, të padrejta.

“Ky park, në fakt, sa ç’është dëshmitar i punës është dëshmitar i disa betejave histerike që sot të bëjnë për të qeshur. Por kur kujton ato ditë, në fakt nuk ishte fare për të qeshur. Do hyjë në histori se si mund të bësh politikë me çfarëdolloj gjëje. Ja ku jemi sot, s’ka as pallate, as kafe, as çudira të kësaj natyre”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana ende ka nevojë për përmirësimin e transportit publik, ndonëse u shpreh i kënaqur për faktin që qytetarët kanë nisur të përdorin më shumë biçikletën.

“Do të vazhdojmë gjithë vitin për kthimin në binarë të rregullit të transportit publik në Tiranë. Lajmi i mirë është se për herë të parë në historinë pas viteve ’90 kemi më shumë njerëz që  ecin,  që përdorin  biçikletën,  apo  transportin publik,  se  ata që  përdorin makinën. Po çështja është se ky është një trend që duhet mbajtur”, shtoi Veliaj.

Top Channel