Filipine, akuza të rënda ndaj kritikes së Dutertes

17/02/2017 00:00

Prokurorët filipinas kanë dorëzuar padi me akuza të lidhura me drogën kundër një senatore, e cila njihet si një prej kritikeve më të mëdha të fushatës antidrogë të presidentit të vendit, Rodrigo Duterte. Senatorja Leila de Lima akuzohet se ka marrë parà nga bosët e burgosur të drogës.

Si një ish-zyrtare e lartë e të drejtave të njeriut, ajo mohon këto akuza, duke i cilësuar ato si “të motivuara politikisht”.

Më shumë se 7.000 njerëz janë vrarë që kur Duterte i shpalli luftë përdorimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike në korrik të vitit të kaluar. Kritikët thonë se ai ka inkurajuar policët, agjentët dhe mercenarët të qëllojnë ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës dhe përdoruesit sapo t’i shohin.

Duterte e ka mbrojtur fushatën, duke thënë se policët janë autorizuar të hapin zjarr vetëm kur kërcënohen nga të dyshuarit.

De Lima, e cila ka shërbyer edhe si Sekretare e Drejtësisë nën presidentin pararendës të Dutertes, Benigno Aquino, ka qenë ndër zërat më kritikë të fushatës eliminuese. Kur ishte në krye të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në vitet 2008-2010, ajo hetoi zotin Duterte, në atë kohë kryebashkiak i qytetit të Davaos, për vdekjet e pashpjegueshme gjatë fushatës së tij kundër krimit.

Ajo akuzohet tashmë se ka marrë ryshfete nga bosët e burgosur të drogës, ndërsa ka lejuar një të dënuar të drejtojë operacionet e shpërndarjes së drogës nga prapa hekurave.

Ministri i Drejtësisë, Vitaliano Aguirre tha se 3 akuza janë ngritur ndaj De Limës, shoferit të saj dhe një numri të caktuar personash të tjerë. “Ky nuk është produkt i politikave, por produkt i trafikimit të drogës”, tha ai.

De Lima, e cila ka mohuar me forcë akuzat, tha se “nëse humbja e lirisë sime është çmimi për të paguar faktin që kam dalë kundër gjakderdhjes së regjimit të Dutertes, atëherë këtë çmim do ta paguaja me vullnet të potë. Por ata gabohen, nëse mendojnë se lufta ime do të përfundojë me kaq. Lufta vetëm sa ka filluar”.

Top Channel