Njëri prej presidentëve të Bosnjës, i myslimanëve boshnjakë, tha gjatë kësaj të premteje se Bosnje-Hercegovina do të apelojë vendimin e një gjykate të Kombeve të Bashkuara, që shfajësonte Serbinë nga akuzat për gjenocid, pavarësisht paralajmërimit nga homologët e tij serbë dhe kroatë, se kjo do të provokonte një krizë politike.

“Kërkesa për rishikimin e vendimit do të dorëzohet javën e ardhshme”, tha Bakir Izetbegoviç, i cili kryeson partinë më të madhe të boshnjakëve “SDA”, gjatë një konference për shtyp. “Jemi të interesuar për të vërtetën dhe që procesi i pajtimit të bazohet tek e vërteta”.

Vendimi i vitit 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shfajësoi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për vrasjet, përdhunimet dhe spastrimin etnik në Bosnje, por doli në përfundimin se Serbia kishte dështuar në përgjegjësinë e saj për të parandaluar gjenocidin.

Ndërkohë, deputetë të dy partive kryesore të serbëve në Bosnjë bojkotuan seancën parlamentare mbi apelimin e mundshëm të vendimit të Hagës, që shfajësoi Serbinë për vrasjet në gjenocidin e Srebrenicës.

Ligjvënësit nga dy partitë më të mëdha të udhëhequra nga serbët bojkotuan seancën e së enjtes, për shkak të asaj që ata e përshkruan si një krizë kushtetuese mbi apelimin e propozuar kundër vendimit të Hagës.

Kreu i serbëve në Presidencën tripalëshe të Bosnjes, Mladen Ivaniç paralajmëroi se diçka e tillë do të ishte katastrofike për marrëdhëniet ndëretnike. “Kjo do të nënkuptonte se jemi duke hyrë në një krizë tejet serioze dhe paralajmëroj cilindo të rikonsiderojë veprimet e tij”, tha Ivaniç të enjten.

Edhe Milorad Dodik, president i komunitetit serb të Bosnjës dhe udhëheqës i “SNSD”-së, tha për median me seli në Banja Luka, “RTRS”, gjatë së mërkurës, se bojkoti ishte “i vetmi mjet i mbetur në duart e tyre për të shfaqur protestën”.

13 nga 14 deputetët e bllokut parlamentar që përfaqëson entitetin serbo-boshnjak të Republikës Srpska, nuk morën pjesë në seancën parlamentare, që në fakt u anulua edhe për arsye të tjera.

Bosnja ka kohë deri më 26 shkurt për ta apeluar vendimin e Gjykatës së Hagës të dhënë në vitin 2007.

Top Channel