Pakistan, ushtria hakmerret duke vrarë 100 militantë

17/02/2017 00:00

Ushtria pakistaneze ka vrarë mbi 100 militantë, pas bastisjeve për sigurinë të ndërmarra pas sulmit të së enjtes në një vend të shenjtë të besimit sufit, ku mbetën të vdekur të paktën 80 persona.

Një kamikaz hodhi veten në erë mes besimtarëve në vendin e lutjes në Sehwan. Pakistani reagoi me bastisje të gjera në mbarë vendin, madje kritikoi ashpër edhe Afganistanin, që sipas pakistanezëve po toleron militantët të futen në vendet e shenjta.

Sulmin e djeshëm, në fakt e mori përsipër grupi i Shtetit Islamik, e përbën rastin e fundit të një serie bombardimesh nga xhihadistët.

Në kundërpërgjigje, rreth 18 militantë u vranë në provincën jugore të Sindhit, ku ndodhej xhamia e besimit sufist, ndërsa 13 të tjerë në veriperëndim të vendit. Ende nuk ka raporte zyrtare se ku janë vrarë terroristët e supozuar të tjerë.

Ndërkohë, kalimi kufitar me Afganistanin është bllokuar, ndërsa janë lëshuar edhe raketa në drejtim të dy provincave afgane. Funeralet për viktimat u zhvilluan këtë të premte, ndërsa qeveria lokale e Sindhit ka shpallur 3 ditë zie. Nga sulmi i djeshëm mbetën të plagosur edhe rreth 250 persona të tjerë.

Kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif dënoi sulmin dhe u angazhua menjëherë se do t’i gjente përgjegjësit. Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Javed Bajwa tha në një deklaratë se “do të merret hak për çdo derdhje gjaku në kombin tonë, dhe hakmarrja do të jetë e menjëhershme. Nuk ka më përmbajtje për dikë”.

Top Channel