Meta, kritikë Bashës: Tensione artificiale para fushatës

17/02/2017 00:00

Aleati i socialistëve në mazhorancën aktuale, Ilir Meta foli në Komitetin Drejtues të LSI-së së Tiranës për përpjekje për të tensionuar artificialisht situatën parazgjedhore në Shqipëri.

“Vëmë re që nuk mungojnë përpjekjet për të tensionuar artificialisht situatën parazgjedhore”, deklaroi Meta.

Megjithëse nuk përmendi emra, deklarata e Metës vjen një ditë para protestës më të madhe, sipas opozitës, në shesh. Kjo u përforcua edhe nga deklarata tjetër e kreut të LSI-së, që u duk sikur ishte dakord me opozitën për një reformë zgjedhore, që sipas tij jo vetëm është e vonuar, por…

“Dua të nënvizoj rëndësinë e përfundimit sa më të shpejtë të Reformës Zgjedhore, që duhej të kishte përfunduar me kohë, duke reflektuar kërkesat dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, dhe padyshim vazhdimin e pandalshëm të procesit të dekriminalizimit, që është një tjetër jo vetëm detyrim, por edhe një standard për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit”, u shpreh Meta.

Meta shtoi se përgatitjet zgjedhore nuk duhet të zbehin vëmendjen nga reformat kyçe të vendit, si ajo në drejtësi dhe reforma zgjedhore.

“Është një kërkesë dhe kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në të ardhmen, por njëkohësisht është shumë e rëndësishme edhe për klimën politike parazgjedhore që të jetë sa më konstruktive”, tha Meta.

LSI po hyn në një fazë agresive përgatitore për fushatën zgjedhore të 18 qershorit, megjithëse ende nuk ka deklaruar se me cilën prej koalicioneve do të bëjë pjesë, apo nëse do të realizojë një koalicion të saj të qendrës.

Top Channel