Reforma, Bushati: Kapadainjtë kundër partnerëve

17/02/2017 00:00

Çështja e reformës në drejtësi kapërcen debatin mbi sovranitetin, por pa e shkelur atë. Të paktën kështu mendon ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Nuk bie dakord me nostalgjikët e filmave me diversantë që kërkojnë ta portretizojnë këtë reformë si ndërhyrje e të huajve në punët tona, apo si cënim sovraniteti. Sepse besoj fuqishëm që kjo reformë është konkretizim i ndërgjegjes kolektive, e cila kërkon ndryshim”, deklaroi Bushati.

Bushati, duke mos reaguar direkt ndaj letrës së dy ministrave të LSI për ONM-në, që tashmë ka mbërritur në Bruksel, hodhi një insinuatë të fortë ndaj atyre që i quajti si elementë rezistentë kundër reformës, që tashmë kanë ngritur stekën dhe po godasin partnerët ndërkombëtarë.

“Ne kemi nevojë për më shumë drejtësi, kemi nevojë për ndihmën dhe ekspertizën e ndërkombëtarve sespe ka një kalsifikim të interesave në sistemin e drejtësisë, ka një humbje besimi të opinionit publik e për fat të keq për herë të parë pas shumë e shumë vitesh ka një kapadajllëk ndaj partnerëve tanë strategjikë”, tha Bushati.

Megjithëse Bushati nuk përmendi emrat e kapadaijve që sipas tij po sulmojnë ndërkombëtarët për reformën, reagimi i tij vjen pas një seri komunikimi me letra mes institucioneve për çështjet e ligjeve të reformës, veçanërisht Këshillin e Emërimeve dhe misionin monitorues ndërkombëtar, si dhe pas konfliktit mes Donald Lu dhe Adriatik Llallës.

Deri tani, pro argumenteve të ambasadorit amerikan kishte dalë kreu i komisionit të ligjeve dhe të reformës, Fatmir Xhafak, ndërsa kundër janë rreshtuar presidenti Nishani, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Drejtësisë Vasili, si dhe përfaqësuesit kryesorë të opozitës.

Ndërsa ambasadorët amerikanë kanë qenë gjithmonë objekt debati mes palëve politike, përplasja me Llallën përbën precedentin e parë të një përballjeje institucionale, me fokus reformën në drejtësi.

Top Channel