Një trotuar për pasarelë

17/02/2017 00:00

Përballë pompozitetit të pasarelave, Marc Jacobs preferoi thjeshtësinë e një trotuari në Manhattan për prezantimin e koleksionit të tij “Vjeshtë 2017”, në ditën e fundit të javës njujorkeze të modës.

Të ftuarit u ulën nëpër karriget e vendosura brenda “Park Avenue”, ku modelet kalonin fare pranë tyre. Koleksioni ishte i mbushur me xhaketa pellushi, minifunde, bluza që shkëlqenin dhe kapele të mëdha.

Disa prej veshjeve ishin pasuruar me aksesorë të tillë si zinxhirë të artë dhe vëthet rrethorë.

Evolucioni i “hip hop”-it ka qenë frymëzimi i Jacobs. Në mesin e të ftuarave të tij të nderit ishte këngëtarja Katy Perry, “Rapper”-ja Lil Kim dhe aktrorja Zosia Mamet.

Tre muaj pasi përfundoi në spital nga stërmundimi, Kanye West prezantoi gjithashtu koleksionin e vet të fundit në javën e modës në Nju Jork. E shoqja, Kim Kardashian ishte ulur në radhën e parë, pranë kryeredaktores së revistës “Vogue”, Anna Wintour.

West nuk kishte dalë shumë nga linja e preferuar e veshjeve të stilit ushtarak, ku dominonin xhinset, bluzat e gjera me kapuç, kapelet e “baseball”-it, çizmet e gjata deri në gju dhe atletet, pa të cilat nuk bën dot as vet ai. Shfaqja nuk u përcoll “live” në internet, duke zhgënjyer kështu mjaft përdorues të medieve sociale.

Top Channel