Veliaj inspekton linjën e Porcelanit, zgjatet deri në Linzë

17/02/2017 00:00

Linja e transportit urban të Porcelanit ka qënë linja e radhës e inspektuar nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Tashmë kjo linjë është zgjatur deri në Linzë, duke ofruar një shërbim dinjitoz për qytetarët, por ndërkohë njihet edhe aboneja.

“Jam shumë i kënaqur me linjën e Porcelanit, është një linjë që vetëm emrin në fakt e ka të Porcelanit, sepse itinerari në fakt është dy herë sa emri i linjës. Pra, itinerari jo vetëm kalon Porcelanin, Kinostudion, shkon deri në Linzë dhe gjithë zonë e Thesarit, zonën e Freskut, ku i shërben një lagje të re që deri dje trajtohej si një lagje e komunës, e Dajtit fshat. Sot në fakt, është një pjesë e qytetit, është urbanizuar jashtë mase, me pallate e banorë të rinj, që deri dje duhej të ndërronin stacionet ose të ecnin në këmbë deri në Kinostudio për të përfituar këtë shërbim. Nga sot e përfitojnë të plotë shërbimin, me abone, dhe më vjen mirë sepse mbajtëm fjalën, ashtu siç premtuam, që autobusin do ta çojmë deri në Linzë dhe gjithë zona nga Teleferiku, te Thesari, Fresku shërbehet tani nga kjo linjë”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Z. Veliaj tha se veç investimeve në automjete dhe teknologji për monitorimin online të linjave, kryebashkiaku bëri të ditur se po shihen edhe ndërhyrje të tjera për të zgjidhur probleme që vijnë për shkak të nyjeve të mbingarkuara apo edhe fashave të orareve.

“Kemi ende vend për përmirësim dhe disa nyje nevralgjike që qytetarët na i kanë raportuar si problematike, siç është zona e Astirit apo disa nga flukset e mëngjesit në periferi, janë sfidat tona të ardhshme. I garantoj të gjithë qytetarët se do i qëndrojmë te koka, deri sa ta zgjidhim këtë situatë, qoftë duke bërë një funksionim më të mirë të linjave, qoftë duke shtuar kontrollet apo edhe një rregullim të orareve të fillimit të aktivitetit paradite, e cila na mundëson që fluksi të shpërndahet në disa fasha orare dhe jo gjithë trysnia e 200 mijë vetëve në orën 08.00 të mëngjesit”, shtoi Veliaj.

Top Channel