Çfarë ndodh të shtunën? Bumçi: Qeveri teknike për zgjedhjet

16/02/2017 00:00

Opozita ka paralajmëruar një protestë ditën e shtunë, që thotë se do të jetë më e madhja që prej daljes së saj në opozitë në 2013. Lulzim Basha premtoi sot në një takim në lagjet e Tiranës, që në shesh do të merret një vendim i madh që do të hyjë në histori për zgjedhjet dhe fatet e vendit. Por cili do të jetë ky vendim i madh i paralajmëruar nga opozita?

Për këtë dhe të tjera pyetje, këtë të enjte në Top Story ishte i ftuar deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, në një panel me analistët Arjan Vasjari, Mustafa Nano, dhe Agron Gjekmarkaj.

Në nisje të fjalës, deputeti i opozitës renditi tre shqetësimet kryesore të Partisë Demokratike, që sipas tij, kanë detyruar atë të dalë në këtë vendimarrje.

“Ne nuk pranojmë të bëhemi fasada demokratike sepse po të bëhemi të tillë, ne nuk do të ishim opozita e vendit. Ne nuk jemi një vend normal dhe ne nuk mund të sillemi sikur s’po ndodh më. Vendi është i mbjellë me kanabis. Nuk mund të ketë fushatë elektorale në një vend të mbjellë me kanabis. Kemi banda kriminale që janë në nivelet më të larta të pushtetit dhe jo si zhvillim aksidental, por si vullnet i qartë i Edi Ramës që do të zhbëjë dekriminalizimin. Rama nuk do të bëjë zgjedhje të lira, raporti i OSBE/ODIHR i 2015 ka qenë më negativi që nga 2001”, tha ai.

Zgjidhja sipas Bumçit është skenari maqedonas.

“Si në rastin e Maqedonisë, ku u largua Gruevski, u formua një qeveri teknike dhe vendi shkoi në zgjedhje. Nuk ka kohë për zgjidhje tjetër. Kjo është më e vogla e mundshme. Nëse Edi Rama do të kishte treguar vullnet për dekriminalizimin, të kishte luftuar kanabisin, do të ishte një situatë tjetër. Por Edi Rama nuk dëshiron ta bëjë këtë dhe alternativa jonë është rruga.  Rama po zhduk mekanizmin e zgjedhjes dhe kjo është arsyeja madhore që ne po dalim në rrugë”, u shpreh Bumçi.

Mustafa Nano pranoi se shqetësimet e opozitës ekzistojnë, por tha se më shumë sesa shqetësime për shqiptarët dhe qytetarët, është alibi i opozitës për humbjen e zgjedhjeve.

“Dekriminalizimi po ecën, diku më shpejt diku më ngadalë, por po ecën. Për fat të mirë prokuroria nuk është e lidhur me mazhorancën. Problem i madh është edhe kanabizimi. Unë jam e sigurtë që paratë e kanabizimit do të përdoren edhe për efekt elektoral, por nuk ka kuptim. Ju doni të rrëzoni një qeveri dhe një kryeministër pa votë, të largohet nga kjo Qeveri. Kjo nuk ka kuptim, Ai është zgjedhur me votë dhe do të largohet me votë. Kam përshtypjen se kjo është thjesht një alibi për humbjen në zgjedhje”, replikoi Nano.

Bumçi u kundërpërgjigj duke thënë se opozita nuk kërkon largimin e Ramës pa mbyllur mandatin. 

“Ne nuk kërkojmë ndërprerjen e mandatit. Ne kërkojmë që zgjedhjet të bëhen me qeveri teknike sepse fati i mandatit tjetër qeverisës nuk vendoset dot mbi plantacionet e drogës”, u përgjigj ai.

Nga ana e tij, Arjan Vasjari tha se arsyet e opozitës për të dalë në protestë të shtunën nuk bindin, ndërsa Agron Gjekmarkaj deklaroi se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme në këtë moment ka më shumë rëndësi sesa vetë reformimi i Partisë Demokratike.

Top Channel