Kryqëzimi i KQZ-së, reagon Biba

16/02/2017 00:00

“Është totalisht personale. Është vendim i KQZ-së i personalizuar për të djegur një parti”, ishte shprehur më herët gjatë punimeve të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Ben Blushi, kryetar i Libras.

Denar Biba i përgjigjet kreut të “Libra”-s, duke sqaruar procedurën për regjistrimin e partive si subjekte zgjedhore. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se institucioni që ai drejton nuk ka debat me asnjë parti.

“Është një sugjerim nga raporti i OSBE/ODIHR-it, i cili e nxit KQZ-në të sqarojë sa më herët të gjithë procedurën e regjistrimit të partive politike dhe nuk ka lidhje me asnjë situatë aktuale. Fakti që parti të ndryshme përfitojnë të gjejnë nga një kauzë për të ngritur pak zhurmë dhe për t’i bërë pak publicitet vetvetes, më vjen keq por është e padrejtë. Nuk i takon KQZ-së të marrë pesha të tilla të padrejta. Blushi ka një debat me vetveten, nuk ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve debat me asnjë parti”, tha Denar Biba, kryetar i KQZ-së.

Në një intervistë për Top Channel, Denar Biba shprehet i surprizuar nga vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për të nisur hetimet penale ndaj KQZ-së, ku sipas saj ky institucion ka pasur informacione më parë se Armando Prenga ishte dënuar në Shqipëri, e për këtë duhet të kryente kallëzim penal në Prokurori, gjë të cilën nuk e ka bërë asnjëherë.

KQZ, sipas Prokurorisë, për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie pranoi dorëzimin e një formulari të dytë një muaj përtej afatit ligjor, çfarë sipas saj është në kundërshtim me ligjin.

“E quaj të pakuptimtë këtë situatë që është krijuar. Do të na mbetet të vlerësojmë aktin e Prokurorisë për të qenë më specifikë, por di që bashkëpunimi nga ana jonë nuk ka munguar asnjëherë. Jemi përgjigjur edhe për 9 subjekte. Ne i kthyem përgjigje, nëse ata kanë gjetje, ne do të veprojmë”, deklaron më tej Biba.

Denar Biba ka një përgjigje edhe për natyrën e sulmeve që po i vijnë KQZ-së.

“Më vjen jashtëzakonisht shumë keq që tentohet të vendoset KQZ në këtë trysni, duke përmendur dënimet penale pikërisht 4-5 muaj përpara zgjedhjeve”, tha ai.

Top Channel