“Dorëlëshuari” Xhyliu zbuloi bandën e grabitësve

16/02/2017 00:00

Njeriu që e çoi policinë në grupin e grabitjeve të armatosura, ndoshta nuk do të ishte zbuluar nëse ai do kishte zgjedhur të bënte një jetë modeste.

Nga informacionet e policisë, thuhet se në gjurmët e të riut Fajton Xhyliu, është rënë në shtator të 2016-s, atëherë kur është raportuar se ish-polici i “Rogat”, ndonëse i papunë, bënte një jetë me shpenzime të mëdha.

Ky informacion është referuar në datën 13 shtator 2016, ku nënvizohej se i riu nga Lushnja kishte blerë edhe një automjet të cilin e kishte regjistruar në emër të të vëllait që është emigrant.

“Unë punoja pranë Rogat dhe kisha lidhje shoqërore me një tjetër punonjës të shoqërisë, Ditjon Memlika. ai më prezantoi në atë kohë me një shokun e tij që kishte qenë në forcat e armatosura dhe që quhej Neim Avdulaj. Jemi takuar disa herë dhe më pas mua dhe Memlikes na lindi ideja të godisnim eskortën që do transportonte paratë. I kërkuam ndihmë Neim Avdylajt, i cili si fillim pranoi të bashkëpunonte. Kjo gjë ka ndodhur nga fundi i majit 2015 dhe në qershor 2016. Avdylaj na njohu me dy persona të tjerë”, thotë Xhyliu.

“Mbaj mend që ata ishin nga Laçi. Neimi nuk na i prezantoi me emra, por na tha se ishin shokë të mirë të tij. Por njëri prej tyre tha se nuk bëhej pasi ishte në ndjekje nga policia për një grabitje tjetër”, shton ai.

Fajton Xhyliu i tha policisë se Avdylaj kishte dalë garant se do të gjente të tjerë të aftë për këtë punë, ndërkohë që ai ka pranuar se ishte aktivizuar në këtë histori për dhënie informacioni, për të cilën ai u pagua mbi 100 mijë euro.

Njësoj ka dëshmuar edhe Neim Avdylaj, i cili rrëfen se kur grabitja është realizuar, çantat janë shpërndarë nga Adi, siç thërritet shkurt Admir Murataj. Avdylaj ka folur edhe për ngjarjen e dytë të 9 shkurtit ku u grabitën 3.2 milionë dollarë.

“U njoha me Admir Çerpjen nga një kushëriri i tij që ishte me mua në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Pasi u bë plani,  tetë muaj kam pirë kafe pranë një qendre tregtare pranë Piramidës, nga ku kam survejuar  lëvizjet e blindave të bankës. Biseda ishte kjo, do të informoja Çerpjan për çdo lëvizje deri ditën që u krye goditja”, ka dëshmuar ai.

Avdylaj shpjegon se ka sinjalizuar daljen e eksortës ku gjendej valuta përmes një numri të blerë në tregun e zi  me mesazhin “Doli vajza”.

Rrëfimi i Avdylajt bie në kundërshtim me qëndrimin mohues të tij dhe të avokatit, të cilët nuk i pranuan akuzat.

Top Channel