Tillerson-Mattis, qasje “rojtari” ndaj Rusisë

16/02/2017 00:00

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë prezantuar pozicionet e tyre mbi Rusinë, në disa prej lëvizjeve të para diplomatike të administratës së re.

“SHBA do të marrë në konsideratë bashkëpunimin me Rusinë, por do të mbrojë fuqishëm interesat e saj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, pas një takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në prapaskenat e takimit të G20-s në Gjermani, në të parin udhëtim jashtë vendit të tij që nga marrja e detyrës së re.

“SHBA shpreson të punojë me Rusinë për çështje praktike bashkëpunimi, që janë në të mirë të amerikanëve. Atëherë kur ne nuk do të mund të shihemi sy më sy, SHBA do të ngrihen për interesat dhe vlerat e Amerikës dhe aleatëve të saj”, tha më tej Rex Tillerson.

Thuajse në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis deklaronte se Uashingtoni nuk ishte i gatshëm të bashkëpunonte ushtarakisht me Moskën.

“Ne do të angazhohemi politikisht, pasi nuk jemi për momentin në pozicionin e duhur për të bashkëpunuar në nivel ushtarak. Por udhëheqësit tanë do të angazhohen dhe do të përpiqen të gjejnë një terren të përbashkët, ku Rusia t’u përmbahet angazhimeve të marra dhe të rikthehet në partneritetin e lidhur këtu në NATO. Por Rusia duhet të tregojë veten më parë”, tha James Mattis, Sekretar amerikan i Mbrojtjes.

Ai shtoi po ashtu se ka pak dyshime, se Moska ka ndërhyrë ose është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet në disa vende perëndimore. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar përmirësim të lidhjeve me Moskën. Por, nisma diplomatike e administratës së re vjen ndërsa ngrihen pikëpyetje për kontaktet e ekipit të Trumpit me Rusinë, që gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Top Channel