Francë, prokurorja nuk e tërheq hetimin ndaj Fillon. Le Pen…

16/02/2017 00:00

Problemet për kandidatin presidencial konservator, François Fillon, duket se u shtuan gjatë kësaj të enjteje, teksa prokurorja e Krimit Ekonomik në Francë zgjodhi të vijonte më tej me hetimin ndaj skandalit të punësimit të rremë të bashkëshortes së tij, që e ka tronditur ndjeshëm deri më tani, ndërsa sheh gjithashtu që rivalja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen të fitojë terren nëpër sondazhe.

Rezultatet e dy të tillëve të publikuar së fundi tregojnë se Fillon, dikur pretendenti kryesor për të pasuar François Hollande në krye të “Elizesë”, do të humbasë që në raundin e parë të presidencialeve.

Prokurorja Eliane Houlette, pasi mori një raport të policisë, tha se do ta mbante të hapur rastin hetimor ndaj skandalit të punësimit të Fillon. Statusi i këtij të fundit si pretendenti në këto zgjedhje, që do të zhvillohen në prill dhe maj, është lëkundur bindshëm gjatë 3 javëve të fundit për shkak të asaj nëse bashkëshortja e tij ka punuar realisht apo është regjistruar fiktivisht me një pagë prej qindra mijëra eurosh, kur rezultonte si asistente e tij në Parlament.

Çështja në fjalë ka shtuar shqetësimet edhe mes investitorëve, të cilët i druhen faktit se Marine Le Pen, kryetarja e Frontit Nacional antieuropiane dhe antieuro, mund të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ajo ka parë një rritje të konsiderueshme nëpër sondazhe, pavarësisht se mbetet sërish shumë prapa për t’u konsideruar pretendente.

“Është detyra ime të konfirmoj se, elementët e shumta të mbledhura nga hetuesit nuk më lejojnë, në këtë fazë, që ta mbyll këtë çështje”, tha Houlette në një deklaratë, pasi mori raportin policor që pasqyronte nëse ishin shpërdoruar fondet publike apo jo.

Houlette nuk njoftoi për hapat e mëtejshëm në këtë rast, i cili ka marrë emrin “Penelopegate”, bazuar në emrin Penelope të bashkëshortes britanike të Fillonit. Houlette në fakt ka disa mundësi zgjedhjeje: ta mbyllë si çështje, ta vijojë më tej atë duke emëruar një magjistrat për ta hetuar, ose ta dërgojë atë drejtpërdrejt në gjykatë për gjykim.

Një burim me njohuri për çështjet tha se, tashmë duket e vështirë që prokurorët financiarë, të emëruar nën presidencën e François Hollande në vitin 2013, do ta mbyllin këtë çështje. Megjithatë, kampi i Fillon e ka sfiduar ligjshmërinë e këtij hetimi.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel