Përvjetori i Pavarësisë, Rama: Festë e mangët pa Ramushin

16/02/2017 00:00

Ndonëse një ditë më herët, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne në nder të përvjetorit të 9 të shpalljes së Pavarësisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tha se 9 vite më parë, pikërisht në sallën e Kuvendit përfundoi një ëndërr, për të filluar një ëndërr tjetër.

“Ka përfunduar një angazhim për të filluar një tjetër. Ka përfunduar puna për lirinë dhe shtetin e Kosovës, dhe ka filluar angazhimi për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Për një Kosovë të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet e lirisë, të barazisë, të drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes. Për një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, në të cilën secili do të jetë i lirë të gjejë lumturinë e tij, pa u cënuar nga të tjerët dhe pa cënuar të tjerët”, tha Thaçi.

Thaçi ka përmendur arritjet e Kosovës në këto 9 vite, ndërkohë që nuk ka harruar të ndalet edhe te sfidat që e presin. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nuk ka harruar të përmendë dhe nderojë ata që derdhën gjak dhe mund për të arritur deri te 17 Shkurti i 2008-s.

“Në këtë përvjetor u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen dhe kanë dhënë jetën, që Kosova sot të marrë frymë e lirë, sovrane, e pavarur dhe demokratike”, tha Mustafa.

I ftuar nderi në ceremoninë solemne ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili duke dhënë urimin e tij tha se 17 Shkurti është një ditë e bekuar, dhe se Kosova po dëshmon se është shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes komuniteteve të ndryshme.

“Gëzuar të gjithëve ju, e përmes jush të gjithë vëllezërve dhe motrave këtu në Kosovë dhe atyre që janë prej Kosovës por banojnë jashtë saj këtë moment. Në këtë moment shumë të rëndësishëm, këtë ditë që është vigjilja e Pavarësisë dhe një përvjetor i radhës, por si çdo përvjetor me një peshë ende të jashtëzakonshme, sepse janë të freskëta ditët e vështira të një të kaluare që nuk është e largët”, tha Rama.

Rama uroi ndërkohë edhe kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt, pa praninë e të cilit – sipas tij, – kjo ditë ka një mungesë të madhe.

Top Channel