Pakistan, 72 të vdekur nga sulmi kamikaz

16/02/2017 00:00

Një sulm kamikaz në një xhami në Pakistanin jugor i ka marrë jetën të paktën 72 personave. Kamikazi hodhi veten në erë në mesin e besimtarëve, në një xhami sufite në qytetin Sehvan, në provincën Sindh.

Kryeministri Nawaz Sharif dënoi sulmin, që u mor përsipër nga grupi i Shtetit Islamik. Një intensifikim i valës së sulmeve këtë javë i ka dhënë fund një periudhe disi të qetë të sigurisë në Pakistan.

Xhamia ishte e tejmbushur, pasi kjo konsiderohej nga myslimanët si një ditë e shenjtë për t’u falur atje. Shpërthimi në një nga xhamitë me më shumë besimtarë në vend, është më vdekjeprurësi në një seri shpërthimesh në Pakistan këtë javë, të marra përsipër nga talebanët pakistanezë dhe militantë të tjerë islamikë.

Mes viktimave, sipas burimeve spitalore kishte 9 gra dhe 20 fëmijë. Të paktën 250 vetë janë plagosur ndërkohë, duke bërë që i vetmi spital në zonë të tejmbushej. Sufizmi praktikohet në Pakistan prej shekujsh. Pjesa më e madhe e grupeve militante sunite në vend i konsiderojnë sufistët si heretikë.

Top Channel