Irak, mbi 48 viktima nga shpërthimi në Bagdad

16/02/2017 00:00

Të paktën 48 persona janë vrarë në Bagdad, në atë që rezulton të jetë shpërthimi i tretë në kryeqytetin irakian brenda 3 ditëve të fundit, sipas asaj që informojnë burime të sigurisë dhe të shëndetësisë.

Një automjet i parkuar dhe i mbushur me eksplozivë u hodh në erë pranë një pike shitjeje makinash në zonën shiite të Bayaas në jug të qytetit, duke lënë të plagosur edhe më shumë se 50 të tjerë.

Të paktën 18 persona humbën jetën në një tjetër sulm ndaj një pike shitjeje të automjeteve të përdorura gjatë së mërkurës, ndërsa 4 vetë u vranë një ditë më parë. Sulmin e së enjtes e ka marrë përsipër grupi i Shtetit Islamik.

Bagdadi ka përjetuar një valë sulmesh ndër më të rëndat nga ISIS në ditët e para të 2017-s, por prej atëherë numri i tyre kishte rënë disi derisa u rikthyen sërish këto 3 ditë rresht.

Militantët xhihadistë kanë përshkallëzuar sulmet ndaj ushtrisë irakiane, të ndihmuar nga sulmet e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa nisën fushatën për shpërnguljen e grupit të militantëve sunitë nga bastioni i Mosulit, 4 muaj më parë.

Sulmi i së mërkurës pati në shënjestër zonën Habibya në qytetin Sadr, një periferi në veri të kryeqytetit irakian. Autobomba e së martës, ndërkohë, u aktivizua në jug të Bagdadit. Më 2 janar, të paktën 35 persona u vranë nga një shpërthim bombe në qytetin Sadr, sulm i marrë përsipër nga ISIS.

Top Channel