Përjashtohet me 10 ditë, Noka: Konet e krimit s’do të ma mbyllin gojën

16/02/2017 00:00

Deputeti i PD, Flamur Noka është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Parlamentit, pas incidentit të tij me Erion Braçen.

Duke komentuar këtë vendim të Byrosë së Parlamentit, Noka e ka quajtur atë një vendim të baronëve të krimit që sipas tij kanë kapur Kuvendin.

“Unë jam armiku politik dhe duhet të përjashtohem, ndërsa konet e krimit dhe baronët e krimit qëndrojnë aty. Kjo qeveri nuk meriton të qëndrojë në këmbë, sepse përbëhet nga një shumicë horrash që kërkojnë t’i mbyllin gojën opozitës. Opozita më 18 shkurt do të jetë në shesh dhe do t’u mbyllë gojën këtyre horrave”, ka thënë Noka.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave sa i takon përplasjes së tij me Braçen, Noka është shprehur: “Deputeti Braçe le të bëjë ç’të dojë, por puna e parë është të zbatojë rregulloren e këtij Kuvend, sepse nuk jemi këtu për fjalor rruge”.

Braçe: PD ka instaluar dhunën në Parlament

Ndërsa nënkryetari i grupit Socialist, Erion Brace ka akuzuar PD se ka instaluar dhunën për 27 vite me radhë në Parlament.

“Kështu sillen ata kundrejt kujtdo që mendon ndryshe, edhe jashtë Kuvendit. Pas 20 vitesh vjen dita që t’i thuash boll një njeriu që vetëm shpif”, ka thënë Braçe.

Ai e ka cilësuar si absurd incidentin e ndodhur mes tij dhe kolegut demokrat.

“Nëse në këtë vend do të kishte një sistem drejtësie, kjo gjë nuk do të ndodhte. Nuk është hera e parë që Noka godet në Kuvend”, ka vijuar Braçe, duke shtuar se Noka do të ndiqet penalisht për “goditje për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, “ishte kreu i grupit parlamentar të PD e hapi seancën me fjalë fyese ndaj kryeministrit”, ka shtuar Braçe.

Top Channel