Deputeti socialist Artan Gaçi, reagoi nga foltorja e Kuvendit për përfshirjen e emrit të tij në listën e zyrtarëve që po hetohen nga Prokuroria në kuadër të dekriminalizimit. Sipas Gaçit, një gjë e tillë bëhet për qëllime politike.

“Përfshirja ime në atë listë së paku është dashakeqe, më së shumti politike. Si kurrë më parë reforma në drejtësi po afron. Do fillojë me drejtësinë, do mbarojë me politikën”, tha deputeti.

Gaçi tha se nuk ka shkelur kurrë ligjin.

“Nëse Prokuroria ka qoftë dhe një provë të vetme, ku unë të figuroj që kam qoftë dhe një gjobë edhe 20 euro nuk ka nevojë t’i drejtohet KQZ-së, do e lë vetë mandatin. Me këtë qëllim i bëjmë  thirrje Prokurorisë ta shkëpusë emrin tim nga lista dhe të bëjë verifikim nga unë i pari”, tha Gaçi.

Artan Gaçi është njëri prej 9 zyrtarëve të lartë për të cilët Prokuroria po heton në lidhje me dënime të mundshme të cilat nuk janë deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Top Channel