Ikje me “dorëheqje” e krerëve të DSIK dhe Pastrimit të Parave

16/02/2017 00:00

Zbatimi i Reformës në Drejtësi ka shënuar një zhvillim të ri, pasi dy drejtorë në varësi të qeverisë, me rol të rëndësishëm në procesin e “vetting”-ut dhanë dorëheqjen të enjten.

Alket Hyseni i “Parandalimit të Pastrimit të Parave” dhe Arben Seferi i “Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar” janë sulmuar vazhdimisht nga opozita si njerëz të afërt të kryeministrit, diçka që sipas saj e parashikonte besueshmërinë e procesit të “vetting”-ut.

Alket Hyseni e ka theksuar këtë qëndrim të opozitës si një argument të përdorur nga ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi.

“Duke qenë i ndërgjegjshëm që Reforma në Drejtësi është një proces i pakthyeshëm, ndiej se largimi im nga funksioni do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të atyre që frikësohen nga reforma, veçanërisht nga ‘vetting’-u”, shkruan Hyseni në kërkesën e paraqitur kryeministrit dhe ministrit të Financave.

Një arsyetim të ngjashëm bëri edhe Arben Seferi. I akuzuar si një njeri partiak nga opozita, ai thotë se dorëheqja do t’i shërbejë besueshmërisë së procesit.

“Pavarësisht përpjekjeve të mia për të përgënjeshtruar këto akuza, jam i vetëdijshëm që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e vendit, institucioni që unë drejtoj duhet të dëshmojë paanshmëri dhe transparencë maksimale”, thotë Seferi.

Të dyja drejtoritë kanë rol kryesor në procesin e “vetting”-ut, sepse njëra kontrollon nëse pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të ligjshme, tjetra kontrollon për pastërtinë e figurës së njerëzve të Drejtësisë.

Mazhoranca thotë se kjo ishte arsyeja që të dy drejtorët sulmoheshin nga opozita dhe nga parti brenda koalicionit. Largimi i tyre u paralajmërua nga Top Channel të martën, kur njoftoi se kjo çështje ishte diskutuar me një grup deputetësh nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu.

Dorëheqja e dy drejtuesve është vlerësuar nga kryeministri Rama. Sipas tij, ky veprim u heq çdo alibi kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi, e cila – siç thotë ai, – nuk mund të ndalet dhe as “vetting”-u nuk mund të shmanget.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel